Avokati i Britney Spears dëshiron ta “fundosë” edhe më shumë babain e këngëtares, Jamie Spears, me disa dokumente për të cilat ende është duke hetuar, përcjell UBT News.
Avokati i Spears, Mathew Rosengart, luajti një rol të madh në sigurimin e lirisë së saj dhe është zotuar se shpërbërja e konservatorit të Spears nuk është hapi përfundimtar për t’i dhënë fund makthit që ka përjetuar Britney Spears.
Ai ka këmbëngulur për të marrë drejtësi për legjendën 39-vjeçare të pop-it, duke sulmuar Jamie Spears dhe këdo që mund të ketë luajtur rol në sigurimin që Spears të mbahej nën kontroll pothuajse të plotë, pavarësisht lutjeve të saj.
E sipas dokumenteve gjyqësore të dorëzuara së fundmi, të marra nga The New York Times, Rosengart tashmë po ndërmerr hapa për të kryer një hetim të gjerë mbi marrëdhëniet e Jamie si konservator, transmeton UBT News.
Jamie Spears e kishte mbajtur postin e konservatorit me një kontroll të tepërt, duke këmbëngulur vazhdimisht se marrëveshja ishte në interesin më të mirë të vajzës së tij.
Dokumentet e gjykatës tregojnë se Rosengart dëshiron të hetojë Jamie-n dhe ka kërkuar informacion të gjerë në lidhje me pasurinë prej 60 milionë dollarësh të Spears dhe të gjithë ata që mund të kenë pasur lidhje në të.
Për më tepër, ai dëshiron që 69-vjeçari t’i dorëzojë një tufë dokumentesh në lidhje me çdo komunikim që Jamie Spears kishte me anëtarët e ekipit të sigurisë së vajzës së tij, stafin e shtëpisë dhe mjekët e saj, dhe të japë llogari për pretendimet e këngëtares se telefoni i saj është monitoruar dhe një pajisje regjistrimi ishte vendosur në dhomën e saj.
Dosja prej 110 faqesh bën të qartë se Rosengart nuk po ndjek vetëm Jamie Spears, por çdo subjekt që ka përfituar nga pasuria shumë milionëshe e Britney Spears. Ai duket veçanërisht i interesuar për Tri Star Sports & Entertainment Group, drejtuar nga Lou Taylor, që luajti rol të rëndësishëm në pasurinë e Spears.
Taylor është një mik i familjes Spears, i cili thuhet se e ndihmoi Jamie-n të vinte në lëvizje konservatorin./UBTNews/