UBT News

Avokati i Popullit shpreh keqardhje që institucionet nuk ofruan mbrojtje për Kujtim Veselin

Në ditën e dytë e samitit për antigjipsizëm, u organizua paneli i diskutimit “Bashkëpunimi ndërsektorial, qasja në drejtësi dhe antigjipsizmi zbërthyer përmes rastit të Kujtim Veselit”.

11-vjeçari ishte gjetur i vdekur në Fushë-Kosovë më 11 korrik të vitit 2019, ku për muaj me radhë u dhunua seksualisht.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj theksoi se në rastin e këtij të mituri janë bërë shkelje nga institucionet e drejtësisë.

“Rasti tragjik i të miturit, padyshim ka bërë që institucioni i Avokati i Popullit të reagojë. Ai qe ka kryer këtë vepër penale ka qenë i akuzuar me 18 vepra penale. Kjo është rrethana e tretë që këtë rast e bën specifik. Ne ndjehemi keq derisa flasim, meqë institucionet nuk kanë arritur të ofrojnë mbrojtje për viktimën. Një nga rekomandimet është që Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të fillojë hetim të brendshëm për shkak të lëshimeve që dalin në këtë rast”, tha Qelaj.

E avokatja, Rina Kika tha se rasti i të ndjerit tregon neglizhencën e shtetit. Përkatësia e tij etnike, sipas saj, ka qenë faktor që ky rast të mos merret parasysh nga institucionet.

“Neglizhenca po vazhdon edhe sot. Në sanksionet prej 30 për qind të pagës së prokurorëve, nuk po u jepet publikut qasje në sanksionet. Është për të ardhur keq se si thirrjet tona për hetim nuk po merren parasysh. Po vazhdon qasja shpërfillëse për rastin e një te mituri, ku konstatohet se ka qenë vazhdimisht i dhunuar”, tha ajo.

Ndërsa këshilltari politik i ministres së Drejtësisë, Eros Gashi tha se ka edhe shumë raste të tjera të diskriminimit ndaj tri komuniteteve. Ai përmendi rastin në Gjakovë, ku pjesëtarët e komunitetit rom nuk janë shërbyer në një lokal.

Samitit për antigjipsizëm këtë vit po mbahet me sloganin “Trasimi i rrugës për ndryshim”.

Exit mobile version