UBT News

Avokati i Popullit nis hetimet për pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve në Gazimestan

Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim të personave të arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, më 28 qershor.

Sipas njoftimit, hetimet janë iniciuar me qëllim të verifikimit të fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe për të vlerësuar nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Institucioni ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa nga disa qytetarë të arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilët pretendojnë se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit në stacion policor. Ata kanë deklaruar gjithashtu se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime lidhur me pretendimet e publikuara dhe ankesat e pranuara nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin e institucionit.

Në kuadër të hetimeve, Avokati i Popullit ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë mbledhjen e informatave dhe dokumentacionit përkatës nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor./A.K/

Exit mobile version