Në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, është shqyrtuar Raporti Vjetor Finaciar i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021, ku ka raportuar Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Avokati Qelaj ka thënë se janë pranuar mbi 1000 ankesa e se janë nxjerrë 257 rekomandime gjatë vitit 2021.
Tutje, ai ka raportuar edhe për buxhetin e vitit 2021, i cili ka arritur në 1 milion euro.
“Gjithsej janë pranuar mbi 1000 ankesa. Ka pasur rritje të ankesave, 692 janë trajtuar, 45 janë hapur. Rastet që janë mbyllur janë 806 raste. Kërkesa për masë të përkohshme janë 2. Avokati i Popullit i ka nxjerrë 257 rekomandime gjatë vitit 2021. Sa i përket aspektit financiar për vitin 2021, ka planifikuar mbi 1 milion euro. Krahasimet e vitit 2020 dhe 2021 ndryshojnë sepse janë anuluar shumë organizime për shkak të Covid në vitin 2020”, tha Qelaj.
Tutje, Qelaj ka folur për pavarësinë financiare të institucionit, duke thënë se është parim kushtetues.
“Janë disa punëtori 3-ditore. Plus kësaj kemi pasur grupin punues që ka finalizuar raportin vjetor të punës. Në shtator e kemi punëtorinë tjetër të komisionit për legjislacion. Avokati i Popullit nuk pranon këshilla. Forma si reflektoni është e gabuar. Ne japim përgjegjësi për shpenzimet. Pavarësia financiare është parim kushtetues. Pajisjet në zyrën time nuk i kam ndërrua. Në momentin kur kam pranuar mandatin ka qenë puna në distancë. Staf i kemi 30 veta. Procedurën e tenderimin jemi detyruar të zbatojmë komfor rregullave nga Qeveria. Ne kemi një zyre me qera në Graçanicë. Zyrat tjera janë objekte publike por nuk i plotësojnë kushtet”, tha ai.
Gjithashtu, në këtë komision u diskutua edhe për pagën minimale, me ç’rast Qelaj tha se janë ende në fazën e analizimit.
“Ne kemi bërë analizë për pagë minimale dhe jemi ende duke analizuar. Aspektet kanë të bëjnë me shkaqet drejt ngritjes minimale, pse janë evituar kategoritë sociale jo vetëm veteranët. Sepse ligji është në një fazë te avancuar të procesit. Ka pasur edhe shkelje te shërbimet shëndetësore në periudhën e pandemisë”, shtoi Qelaj.
Ndërsa, deputeti nga AAK, Pal Lekaj, tha se nuk është i kënaqur me raportin dhe se pret që në vitin 2023 të përmirësohet.
“Sa i përket raportit që e kam përpara është i pamodifikuar. Ka disa çështje që duhet t’i përmirësoni gjatë vitit 2022. Këto të gjetura të mos përsëriten dhe në vitin 2023 të jenë të përmirësuara”, u shpreh ai.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se gjatë pandemisë ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.
“Qeveria ka ndryshuar diskursin dhe po shkelen të drejtat e njeriut dialogu social. Është çështja me pandeminë, ka pasur shkelje të drejtave të njeriut gjatë pandemisë”, tha ai.