Avokati Arianit Koci, i angazhuar nga familja e rreshterit të ndjerë Muhamet Lika, i ka bërë thirrje publikut dhe mediave që të shmangin komentet e pabazuara lidhur me rastin e vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Kaçanik.
Në një deklaratë publike, Koci theksoi se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka asnjë cilësim zyrtar që e ndërlidh rastin me terrorizmin apo ndonjë grup me motive religjioze.
“Drejtësia nuk lejohet të ngatërrohet me hamendje. As Policia e as Prokuroria nuk kanë konstatuar ndonjë lidhje me ndonjë grup terrorist”, u shpreh ai.
Avokati shtoi se nëse gjatë hetimeve dalin të dhëna të reja, opinioni publik do të njoftohet zyrtarisht. Ai e cilësoi vrasjen si një akt makabër dhe tha se autorët do të përballen me drejtësinë.