UBT News

AUV tërheq nga tregu një seri të qumështit “VITA 3.2%”, u gjet me aflatoksinë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të një serie të qumështit VITA UHT 3.2% yndyrë, të prodhuar nga kompania “ABRAZEN SH.P.K.” (Qumështorja VITA), pasi analizat laboratorike të kryera në Kosovë dhe Austri kanë konfirmuar tejkalimin e nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.

Masa e tërheqjes vlen specifikisht për produktin VITA – Qumësht UHT 3.2% yndyrë në paketim prej 1 litri, me datë prodhimi 18.07.2026 dhe afat përdorimi deri më 18.01.2027. AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë seri të qumështit dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë. Sipas agjencisë, masat aktuale zbatohen vetëm për këtë seri të identifikuar, ndërsa produktet e tjera të të njëjtit prodhues mbeten nën verifikim të vazhdueshëm.

Konfirmimi i fundit erdhi nga Instituti për Sigurinë e Ushqimit në Linz (AGES) në Austri, ku u konstatua përqendrim i aflatoksinës M1 prej 0.065 µg/kg, kundrejt kufirit maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg. Ky rezultat përputhet me analizat e mëparshme të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë (LUV) në Kosovë, i cili kishte gjetur tejkalime në tri mostra të së njëjtës seri. Ky rast pason konstatimet e ngjashme në Maqedoninë e Veriut, ku analizat në produktin LAND Milk UHT 3.2% — të prodhuar nga po i njëjti operator (“ABRAZEN SH.P.K.”) — kishin zbuluar përqendrime të aflatoksinës M1 prej 0.100 dhe 0.139 µg/kg, çka tregon tejkalime të përsëritura te produktet e kësaj kompanie.

Bazuar në Ligjin për Ushqim dhe rregulloret në fuqi, ushqimi që përmban mikotoksina mbi kufirin e lejuar konsiderohet i pasigurt, ndaj operatorit i është urdhëruar ndalimi i shitjes, tërheqja nga pikat tregtare dhe dokumentimi i sasive të tërhequra. AUV ka paralajmëruar se do të zgjerojë kontrollet te qumështi i papërpunuar, fermat dhe ushqimi i kafshëve për të gjetur burimin e kontaminimit.

Aflatoksina M1 është një substancë toksike që kalon në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve dhe ekspozimi afatgjatë ndaj saj paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve. AUV bën të ditur se gjatë kontrolleve të gjera të periudhës gusht–nëntor 2026 në tregun vendor dhe import, mostrat e tjera të analizuara kanë rezultuar brenda standardeve të lejuara. /E.A/

 

Exit mobile version