Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se peshku në Kosovë nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
Sipas njoftimit në tregun e Kosovës, importet me ngarkesat me peshk nga SHBA, Kanadaja, Spanja, Kroacia, Maqedonia e Veriut, në Republikën e Kosovës vinë të ngrira në më shumë se -18 C dhe me certifikata shëndetësore si garanci nga autoritetet e këtyre vendeve.
“Një komision i pavarur i AUV-së ka pasur parasysh praktikat të cilat përdoren në shtete të ndryshme evropiane, ku produktet e peshkut me praninë e parazitëve ose të pa trajtuara mjaftueshëm asgjësohen, për të mbrojtur shëndetin publik. Duke u nisur nga kjo praktikë Komisioni ka marrë vendim për asgjësimin e peshkut, duke siguruar kështu sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.
AUV thotë se lloji i peshkut Merluc (hake) i cili gjendet në tregun e Kosovës për të cilin bëhet fjalë, përveç se është i ngrirë, i përket llojit i cili është i dedikuar për tu përgatitur me trajtim të nxehtësisë (dmth të gatuhet), dhe jo të përdoret si i freskët apo i shkrirë, në rast nuk paraqet rrezik për shëndetin publik./S.K/KP/