UBT News

AUV ndalon importin e kafshëve të gjalla nga Rumania, shkak sëmundja e tërbimit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, njofton se ka ndaluar importin e kafshëve të gjalla nga Rumania.

Ky ndalim i importit sipas komunikatës së AUV, erdhi pas konfirmimit të sëmundjes së tërbimit në një fermë familjare në rajonin e Maramureș, në Republikën e Rumanisë.

“Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV ka marrë vendim për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë. Kjo masë hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në komunikatën e AUV.

Ndërkaq, AVU njofton se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri.

AUV thekson se mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar.

Exit mobile version