Analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit kanë rezultuar se gati çdo i pesti produkt i qumështit në Kosovë përmban përbërës të padeklaruar në etiketë.
Në një konferencë për media të martën, drejtori ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, bëri të ditur se gjatë periudhës prill-korrik janë kryer kontrolle në treg, njësi prodhuese, pika kufitare dhe te përpunuesit e qumështit, ku janë marrë dhe analizuar 495 mostra. Nga këto kontrolle janë identifikuar 93 mospërputhje, ku gati gjysma e tyre lidhen me praninë ose deklarimin e vajit të palmës, i cili është identifikuar në 46 raste, i pasuar nga yndyrat bimore, niseshteja dhe qumështi pluhur.
“Analizat në laboratorin e AUV-it, mbi 90 për qind të rasteve të mospërputhjeve përbërësit nuk janë proklamuar në etiketë në mënyrën e kërkuar sipas legjislacionit në fuqi. Kjo nënkupton se konsumatori nuk ka pasur informacion të plotë dhe të saktë mbi përbërjen e produktit që ka blerë”, ka thënë Hoxha gjatë konferencës.
Ai dha detaje shtesë duke sqaruar se në 85 raste ka pasur prani të përbërësve të padeklaruar në etiketë, ndërsa në 8 të tjera përbërësit e deklaruar nuk janë detektuar gjatë analizës. “Kur një produkt përmban vaj palme, yndyrë bimore apo përbërës të tjerë alternativë, duhet të tregohet qartë. Konsumatori duhet të informohet saktë dhe në mënyrë transparente”, theksoi ai.
Gjithashtu, Hoxha bëri të ditur se një numër i madh operatorësh kishin leje vetëm për përpunimin e qumështit, por jo edhe për përpunimin e vajit të palmës, yndyrës bimore apo qumështit pluhur. Megjithatë, ai sqaroi se ky aksion nuk ishte kundër sektorit të qumështit dhe rezultatet nuk e bëjnë këtë sektor të pasigurt, por treguan nevojën për kontrolle të vazhdueshme dhe rregulla më të qarta për etiketimin.
Nga ana tjetër, Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi se qumështi i fermerëve të Kosovës është më i miri, por jo gjithmonë e ruan cilësinë pas dorëzimit. “Kjo ka qenë arsyeja pse kontrolli zyrtar është kryer te përpunuesit dhe te distributorët. Aty siç evidentohen nga raporti ka të tillë që e kanë tradhtuar besimin e fermerit dhe të konsumatorit”, është shprehur Muja.
Lidhur me hapat e mëtejshëm, ministri paralajmëroi masa korrigjuese dhe sankcione ligjore për shkelësit. “Ata të cilët kanë lëshuar gabime të tilla në emër të profitit, pa konsideruar ndjeshmërinë, do të përballen me masa korrigjuese. Ato do t’i komunikojë fillimisht AUV-ja dhe pastaj ne do të krijojmë një matricë të përputhshmërisë, produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu, aktivitetet e paligjshme dhe të paaprovuara duhet të suspendohen ashtu siç e kërkon ligji dhe të gjitha aktivitetet e tjera duhet të monitorohen rreptë nga AUV-i që të sigurohet që produktet i përmbushin kriteret”, ka theksuar Muja.
