Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka asgjësuar 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi, në kuadër të zbatimit të urdhëresës së Inspektoratit Veterinar.
Bazuar në këtë urdhëresë, operatori ekonomik “ELKOS SH.P.K.” ka vazhduar procesin e gjurmueshmërisë dhe tërheqjes së produkteve ushqimore nga tregu. Si rezultat, më 30 tetor 2026 janë asgjësuar 21,226 kg produkte nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së, ku përfshihen mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish i grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera ushqimore. Këto veprime pasojnë urdhrin fillestar për ndalimin dhe asgjësimin e 3,130 kg kofshë pule të ngrira me prani myku.
Përveç këtij rasti, AUV-i ka ndaluar shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen e dy lotëve të mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga kompania “Apetit”, pasi në të është konstatuar prania e bakterit “Salmonella Minnesota”.
Po ashtu, AUV ka asgjësuar edhe 5.56 tonë misër të importuar nga Serbia për shkak të nivelit të lartë të Aflatoksinës. Agjencia bëri me dije se procesi i gjurmueshmërisë dhe kontrollit po vazhdon për çdo produkt që paraqet ndryshime cilësore apo rrezik për shëndetin e konsumatorëve. /E.A/
