Austria ka refuzuar të lejojë hyrjen e 110 turistëve britanikë në rajonin e skive të Tirolit për shkak të kufizimeve të reja për hyrje të vendosura për shkak të përhapjes së variantit Omicron.
Sipas policisë së Insbruk të hënën, pasagjerët nuk ishin në gjendje të paraqisnin një test negativ PCR ose dëshmi të vaksinimit me një dozë përforcuese të vaksinës kur mbërritën në aeroportin e qytetit të dielën. Shumica e tyre u kthyen menjëherë.
Rregullat e reja austriake për hyrjen në vend kanë qenë në fuqi që nga e shtuna për udhëtarët nga Britania, Holanda, Danimarka dhe Norvegjia.
Industria austriake e turizmit dhe mikpritjes po përballet gjithashtu me një shtetrrethim që hyri në fuqi të hënën. Qeveria vendosi javën e kaluar që baret të mbylleshin në orën 22:00. Autoritetet anuluan gjithashtu planet për të hequr shtetrrethimin në natën e Vitit të Ri.