Austria e ka nisur me sukses aventurën në Kupën e Botës 2026, duke shënuar fitore 3:1 ndaj Jordanisë në ndeshjen e parë të Grupit J.
Austriakët kaluan në epërsi në minutën e 21-të me golin e Romano Schmid, ndërsa Jordania reagoi në pjesën e dytë, kur Ali Olwan barazoi rezultatin në minutën e 50-të.
Ndeshja mbeti e hapur deri në minutën e 76-të, kur Yazan Al-Arab realizoi autogol, duke i dhënë sërish avantazhin Austrisë. Në minutat shtesë, Marko Arnautoviq vulosi fitoren 3:1 të austriakëve me golin e tretë.
Me këtë triumf, Austria i bashkohet Argjentinës në krye të Grupit J, pasi argjentinasit fituan 3:0 ndaj Algjerisë në ndeshjen tjetër të grupit.
Takimi u zhvillua në orët e para të së mërkurës sipas kohës së Kosovës, ndërsa Austria mori tre pikë të rëndësishme në garën për kualifikim në fazën e eliminimit direkt.
