UBT News

Australia tërhiqet nga ndeshjet e kriketit në Afganistan për shkak të kufizimeve ndaj grave nga talibanët

Ekipi i kriketit për meshkuj i Australisë është tërhequr nga një seri ndeshjesh të ardhshme kundër Afganistanit në shenjë proteste ndaj kufizimeve të talibanëve që lidhen me arsimimin dhe punësimin e grave, njoftoi përmes një deklarate të enjten Cricket Australia (CA).

Ekipet ishin planifikuar të luanin tri lojëra Ndërkombëtare Njëditore (ODI) në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë muajit mars, por CA vendosi të tërhiqet pas konsultimeve me palë të interesuara, përfshirë qeverinë australiane.

“CA është e përkushtuar të mbështesë rritjen e lojës për gratë dhe burrat në mbarë botën, përfshirë Afganistanin, dhe do të vazhdojë të angazhohet me Bordin e Kriketit të Afganistanit në pritje të përmirësimit të kushteve për gratë dhe vajzat në vend”, thuhet tutje në njoftim.

Në muajin dhjetor, talibanët njoftuan pezullimin e arsimit universitar për të gjitha studentet femra. Ky vendim erdhi pas atij të muajit mars që ua ndaloi vajzave të kthehen në shkollat e mesme, pas mbylljeve disamujore të shkollave qëkur grupi islamik pushtoi Afganistanin në gusht të vitit 2021.

Në fund të muajit dhjetor, talibanët urdhëruan të gjitha organizatat joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare (OJQ) që t’ua ndalojnë punësimin femrave, duke paralajmëruar se kundërshtimi i këtij vendimi mund të çojë në revokimin e licencave të tyre./UBTNews/

Exit mobile version