Pas mungesës së Kylian Mbappé dhe pensionimit të Antoine Griezmann, pyetja që po bëjnë shumë është: cili do të jetë kapiteni i ekipit kombëtar të Francës në dy ndeshjet e ardhshme? Sipas raportimeve nga “L’Equipe”, nderi nuk do t’i shkojë portierit Mike Maignan, që ishte konsideruar favorit.
Trajneri Didier Deschamps dhe stafi i tij kanë vendosur që t’i besojnë shiritin e kapitenit Aurélien Tchouaméni, mesfushorit të Real Madridit, i cili fitoi votën e brendshme përballë Jules Koundé. Kjo zgjedhje ka shkaktuar zhgënjim te Maignan, i cili është konsideruar një lider natyral brenda skuadrës. Ai kishte shprehur shqetësime në dhomat e zhveshjes, duke përfshirë edhe kritika ndaj Mbappé pas disfatës ndaj Italisë në shtator.
Zgjedhja për kapitenin e ri vjen në një moment të rëndësishëm për ekipin, që po përgatitet për dy ndeshje të rëndësishme. Tchouaméni, që e ka treguar përkushtimin dhe aftësitë e tij si udhëheqës, do të ketë përgjegjësinë për të drejtuar skuadrën në këtë periudhë të re, duke u shprehur se ndjehet i nderuar për këtë rol./UBTNews/