UBT News

Atletico Madrid drejt rinovimit me yllin francez

Antoine Griezmann pritet të rinovojë kontratën me Atleticon e Madridit teksa ajo aktuale i skadon në vitin 2026. Plani i “Los Colchoneros” është të përfundojë një marrëveshje të re me sukses gjatë muajve të ardhshëm, teksa të dyja palët vazhdojnë të jenë në negociata të vazhdueshme.

Klubi madrilen e cilëson Antoine Griezmannin si një lojtar kyç për ekipin, me francezin i cili po shijon periudhën e tij të dytë me Atleticon, pasi e para zgjati për pesë vjet – nga viti 2014 deri në vitin 2019. Për tri sezone, Griezmann luajti edhe tek Barcelona, por nuk shijoi të njëjtin produktivitet si te ekipi i Simeones.

Në vitin 2022, sulmuesi francez u rikthye sërish në Wanda Metropolitano ku edhe po kalon një sezon mjaft të mirë me 13 gola të shënuara dhe gjashtë asistime të dhuruara.

Në total, 33-vjeçari ka luajtur 383 ndeshje me “Los Colchoneros” dhe ka fituar një Europa League, një Superkupë Evrope dhe një Superkupë Spanje me Atleticon./UBTNews/

Exit mobile version