Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të martën se të gjithë qytetarët që lëshojnë prona me qira përmes platformave online, siç është “Airbnb”, janë të obliguar t’i deklarojnë këto të hyra dhe të paguajnë tatimin prej 10 për qind, siç parashihet me ligj.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ATK-ja bëri të ditur se ka identifikuar një numër qytetarësh që kanë realizuar të ardhura nga qiratë, por nuk i kanë deklaruar ato dhe nuk i kanë përmbushur detyrimet tatimore.
Për të rregulluar këtë proces, ATK-ja ka sqaruar se qytetarët që lëshojnë prona me qira duhet të pajisen me numër fiskal (nëse nuk janë të regjistruar paraprakisht), t’i deklarojnë rregullisht të ardhurat e realizuara dhe të paguajnë tatimin përkatës.
Sipas administratës tatimore, institucioni posedon prova që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të hyra nga ky aktivitet, ndërsa ka paralajmëruar gjoba për të gjithë ata që nuk e respektojnë këtë obligim ligjor. /E.A/
