Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka intensifikuar kontrollet dhe veprimet operative në sektorët që ofrojnë shërbime estetike, kozmetike, dermatologjike dhe stomatologjike.
Sipas ATK-së, kontrollet do të përfshijnë klinikat për ndërhyrje estetike, kirurgji estetike, klinikat stomatologjike, qendrat për trajtime të fytyrës dhe trupit, qendrat për mbjelljen e flokëve, sallonet e bukurisë, qendrat e mjekësisë estetike, dermatologjisë, spa dhe wellness, si dhe studiot për trajtime estetike dhe me laser.
ATK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe klientëve që kanë marrë shërbime në këto biznese të bashkëpunojnë duke raportuar rastet e mundshme të moslëshimit të kuponëve fiskalë apo parregullsive të tjera tatimore.
Raportimet mund të bëhen përmes platformës DENONCO, si dhe përmes Qendrës së Thirrjeve të ATK-së në numrin 038 222 165.
Sipas institucionit, qëllimi i këtyre veprimeve është rritja e përmbushjes së detyrimeve tatimore, formalizimi i aktiviteteve ekonomike dhe krijimi i një konkurrence të barabartë ndërmjet bizneseve./A.K/
