UBT News

ATK-ja me njoftim për bizneset rreth shlyerjes së ndëshkimeve

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar tatimpaguesit se kanë afat vetëm deri më 30 qershor që të paguajnë tatimin bazë dhe interesin në mënyrë që të mund të përfitojnë nga shlyerja e ndëshkimeve.

Përmes një komunikate për media nga ATK-ja njoftojnë se “Me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 04/60 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 27.01.2021, për lehtësimin e ushtrimit të aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19, Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se hiqen ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit të cilët kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit”.

Sipas ATK-së, të gjithë personat fizikë dhe juridikë, të cilët kanë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, mund të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve, me kusht që të njëjtit, të kryejnë pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit deri më 30 qershor 2021.

Pra, heqja e ndëshkimeve do të bëhet për të gjithë tatimpaguesit, nëse:

• Tatimpaguesit bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit bazë (kryegjësë) dhe interesit;

• Tatimpaguesit bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste;

• Tatimpaguesit janë në marrëveshje me ATK-në dhe paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin.

“Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar brenda periudhës ligjore deri me 30 qershor 2021, do të përfitojnë nga falja e ndëshkimeve”, thuhet tutje në komunikatë.

Heqja e ndëshkimeve për tatimpaguesit të cilët paguajnë tatimin bazë (kryegjënë) dhe interesin, për të gjitha periudhat dhe llojet e tatimeve/kontributeve, do të bëhet në mënyrë automatike nga ATK, pra tatimpaguesi nuk obligohet të aplikoj për heqje të ndëshkimeve.

Exit mobile version