UBT News

Aspirina po testohet si kurë potenciale ndaj kancerit të gjirit

Studiuesit shpresojnë se ilaçi i lirë dhe i disponueshëm gjerësisht mund të funksionojë mirë kur kombinohet me imunoterapinë e përcaktuar për pacientët me kancer të gjirit trefish-negativ

Aspirina është duke u testuar si pjesë e një trajtimi të mundshëm kundër një forme agresive të kancerit të gjirit.

Studiuesit shpresojnë se ilaçi i lirë dhe i disponueshëm gjerësisht mund të funksionojë mirë kur kombinohet me imunoterapinë e përcaktuar për pacientët me kancer të gjirit trefish-negativ. Studimi, i financuar nga Programi i Katalizatorit të Kancerit të Gjirit, i cili synon që ta përshpejtojë përparimin në kërkime nëpërmjet inovacionit dhe bashkëpunimit, është i pari klinik që teston nëse aspirina mund t’i bëjë tumoret më të ndjeshme ndaj imunoterapisë në këta pacientë, ka raportuar e përditshmja britanike “Guardian”.

Hulumtimi, i udhëhequr nga dr. Anne Armstrong nga fondacioni Christie NHS në Manchester, do ta testojë ilaçin avelumab me dhe pa aspirinë para se pacientët të operohen dhe të trajtohen me kimioterapi.

Organizata “Breast Cancer Now” ka njoftuar se rezultatet e suksesshme mund të sjellin prova të mëtejshme klinike të aspirinës dhe avelumabit për kancerin dytësor të pashërueshëm trefish-negativ të gjirit, i cili ndodh kur qelizat e kancerit që filluan në gji përhapen në pjesë të tjera të trupit.

“Guardian” ka raportuar se çdo vit, rreth 8,000 gra diagnostikohen me kancerin e gjirit trefish-negativ në Mbretërinë e Bashkuar. Është kjo sëmundje më pak e zakonshme, por zakonisht tip më agresiv i kancerit të gjirit, që prek gratë e reja dhe gratë me ngjyrë, ka shtuar bërë të ditur organizata “Breast Cancer Now”.

“Hulumtimi ynë i mëparshëm ka treguar që aspirina mund t’i bëjë më efektive disa lloje të imunoterapisë, duke e parandaluar kancerin të prodhojë substanca që e dobësojnë reagimin imunitar”, ka theksuar onkologia Armstrong, duke folur për gazetën britanike. “Barnat antiinflamatore si aspirina mund të jenë çelësi për rritjen e efektivitetit të imunoterapisë kur përdoren në të njëjtën kohë”.

Provimi i përdorimit të një ilaçi si aspirina është emocionues, sepse është aq i disponueshëm ngado dhe është i lirë për t’u prodhuar.

“Shpresojmë që testimi ynë të tregojë se kur kombinohet me imunoterapi aspirina mund t’i rrisë efektet e saj dhe mund të sigurojë përfundimisht një mënyrë të re të sigurt për ta trajtuar kancerin e gjirit”, ka thënë Armstrong.

Dr. Simon Vincent, drejtori i kërkimit, mbështetjes dhe ndikimit në “Breast Cancer Now” ka thënë se gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit trefish negativ në Mbretërinë e Bashkuar përballen me realitetin e frikshëm të opsioneve të kufizuara të trajtimit.

“Duhet urgjentisht ta trajtojmë këtë çështje. Hulumtimet tashmë kanë treguar që aspirina mund t’i përmirësojë rezultatet për shumë pacientë me kancer dhe shpresojmë se studimi i dr. Armstrong do të tregojë të njëjtën gjë për pacientët me kancer të gjirit trefish negativ, në mënyrë që ta parandalojmë humbjen e më shumë jetëve nga kjo sëmundje shkatërruese”, ka thënë ai për “Guardian”.

“Breast Cancer Now” ka bërë të ditur gjithashtu se kompania farmaceutike “Pfizer”, e cila ka zhvilluar kurën kundër COVID-19, i kishte siguruar organizatës bamirëse fonde nëpërmjet një granti të pavarur kërkimi mjekësor dhe u kishte dhënë hulumtuesve të saj qasje në disa prej ilaçeve të zhvilluara prej saj./koha

Exit mobile version