UBT News

Asociacioni i Komunave paralajmëron protestë para Qeverisë më 1 shtator

Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka vendosur që më 1 shtator, në orën 11:00, të organizojë një protestë përballë ndërtesës së Qeverisë në Sheshin “Skënderbeu”.

Përmes një njoftimi zyrtar në Facebook, AKK bëri të ditur se protesta organizohet për mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, si dhe për kompensimin e dëmeve nga vërshimet dhe detyrimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive. Po ashtu, kërkohet zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti qendror, financim i drejtë për komunat dhe ndalimi i ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.

Lidhur me këtë vendim, Asociacioni i Komunave të Kosovës deklaroi zyrtarisht: “Protesta do të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake, në mbrojtje të interesave të Komunave dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Vendimi ka nxitur edhe reagime të ndryshme mes krerëve të komunave.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një reagimi në Facebook ka akuzuar Qeverinë për qasje totalitare dhe për ndëshkimin e komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se komuna e tij nuk do të marrë pjesë në këtë protestë, duke deklaruar se Rama nuk mund të flasë në emër të të gjithë kryetarëve të komunave. /E.A/

Exit mobile version