Dëmtimi i mesfushorit turk Hakan Calhanoglu ka ngritur sërish pyetjen se kush do ta zëvendësojë atë në ndeshjen e ardhshme të kampionatit, pas mungesës së mundshme të tij ndaj Veronës. Edhe pse shpresohet që Calhanoglu të rikthehet pas disa ditësh, ajo që është e sigurt është se do të ketë një ndryshim të nevojshëm në formacionin e Interit për këtë takim.
Zëvendësuesi natyral i tij është Kristjan Asllani, mesfushori shqiptar, i cili ka pasur një periudhë të ndërlikuar kohët e fundit për shkak të një dëmtimi që e ka mbajtur jashtë lojës, duke u bashkuar në këtë mënyrë me Calhanoglun në disa mungesa.
Megjithatë, nëse Asllani nuk është gati ose nëse trajneri Simone Inzaghi dëshiron të zgjerojë mundësitë, ai ka disa opsione të tjera. Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, Inzaghi mund të mbështetet në dy emra të tjerë të njohur për të zëvendësuar turkun: Piotr Zielinski dhe Nicolò Barella.
Këta dy mesfushorë janë konsideruar si opsione të vlefshme për të mbushur vendin e Calhanoglut dhe për të mbajtur Interin konkurrues në ndeshjen e “Bentegodit”. Zgjidhja do të varet nga besimi i Inzaghit në secilin prej tyre dhe mënyra se si do të shfrytëzojë mundësitë taktike në këtë përballje të rëndësishme./UBTNews/