Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se deri më tani ecuria e punës gjatë javës së katërt në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë është duke ecur sipas planit.
Avni Kastrati kryeshef i ASK-së, tha se deri më tani numri i popullsisë që është regjistruar është rreth 900 mijë, andaj shprehet optimist se do të jenë në kohë. Kastrati poashtu tregoi se nuk ka pasur refuzime deri më tani për regjistrim, derisa bëri me dije se për ata që refuzojnë do t’i ndjekin rrugët ligjore.
“Jemi në ditën e 24 të punës në terren, shpresojmë që do të jemi në kohë sipas planit që e kemi bo deri më 17 maj. Procesi i regjistrimit të popullsisë është duke shkuar ashtu siç është planifikuar dhe janë duke funksionuar gjitha pajisjet, instrumentet, sistemi dhe regjistruesit janë aktiv sidomos këto ditë, këtë javë ka një regjistrim më shumë sesa që është planifikuar. Ne e kemi një kornizë brenda javës përafërsisht sa do të jetë numri i regjistruesve edhe kjo është për tu përshëndetur sepse duket se tani regjistruesit janë adaptuar me zonat e tyre dhe me formularin por edhe qytetarët po e pranojnë pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë në mënyrë masive. Nuk kemi refuzime deri tani, janë individuale nganjëherë ndonjë ekonomi familjare por në sistem neve nuk na vjen si refuzim për arsye se pretendohet që shkon edhe një herë, edhe dy herë tjera por sigurisht ne e kemi theku edhe më herët se regjistrimi i popullsisë përveç që është një e mirë që duhet ta kemi, është e rregulluar edhe me ligj dhe ASK-ja po e bëjmë publike, gjithë ata që refuzojnë të marrin pjesë në regjistrim do t’i përcjellim në institucionet e tjera që janë të thirrura për legjislacion” – tha Kastrati.
Kryeshefi i ASK-së tha se po vlerësohet se Kosova i ka respektuar standardet ndërkombëtare për regjistrime dhe është në kuadër të linjave të rekomandimeve ndërkombëtare.
“Të regjistruarve deri më sot ju kemi ofruar rreth 900 mijë edhe besojmë që siç e cekëm më parë do të jemi në kohë. Deri më tani janë regjistruar mbi 891 mijë banor të Kosovës” – shtoi ai.
Më tej, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve qe të deklarojnë saktë rezidencën e tyre dhe poashtu kërkohet që edhe qytetarët të jenë aktiv në procesin e regjistrimit.
“Nëse regjistruesi ose regjistruesja nuk vjen në ekonominë familjare tuajën ata duhet të jenë vetë aktiv që nënkupton se nëse nuk vjen regjistruesi 5 – 6 ditët e fundit ata të kontaktojnë komunën e tyre është një numër telefoni për zyrtarët komunal dhe ata e angazhojnë një ekip tjetër apo rezervë. Nëse edhe komuna nuk përgjigjet për ndonjë arsye ata mund të kontaktojnë dy numra të telefonit në ASK. Ne kemi një ekip mobil që brenda ditës kudo në Kosovë mund ta dërgojmë për regjistrim. Edhe një herë pra qytetarët vetë të jenë aktiv të kontaktojnë me regjistruesit e zonës”- u shpreh Kastrati.
Sa i përket qytetarëve serb në katër komunat në veri të Kosovës tha se ka hezitim masiv për tu regjistruar, derisa shtoi se komunitetet tjera në atë zonë po regjistrohen.
“Komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive ka një regjistrim të disa ekonomive familjare, individëve por është numri i vogël në bazë të atyre që ne pretendojmë. Ne kemi pas diskutim me disa institucione ndërkombëtare dhe sigurisht ata do t’i transmetojnë atë që ne u kemi transmetu komunitetit serb në veri. Është një e mirë edhe për ata për të ditur numrin e tyre që jetojnë në ato komuna. Mospjesëmarrja në regjistrim nuk ekziston. I bëjë thirrje komunitetit serb se procesi nuk është aspak politik. Duhet ta dinë për shërbime kush jeton, çfarë strukture e popullsisë, çfarë statusi i punësimit, çfarë niveli i edukimit gjithë këta indikator vijnë nga regjistrimi. Është në të mirë të vetë komunitetit” – tha ai.
Kastrati shtoi se në komunat në jug komuniteti serb është duke u regjistruar.
Ndryshe, regjistrimi i popullsisë do të zgjas deri më 17 maj 2024 derisa sipas ASK-së të dhënat preliminare do të mund të publikohet më herët se që janë paraparë, në qershor të këtij viti.