Rreth 12 mijë nxënës më pak kanë vijuar vitin shkollor 2021-2022, ndërsa sfidë për sistemin parauniveristar mbetet zbatimi i kontratës kolektive në komuna. Kështu tha kryesuesi i Kolegjiumit për Arsim parauniversitar, Samir Shahini gjatë raportimit të tij para anëtarëve të Komisionit për Arsim.
Aty së bashku diskutuan për gjendjen e arsimit parauniversitar në nivel komunal. Ai përmendi edhe grevën e SBASHK-ut për të cilin tha se duhet të shikohet interesi i nxënësve pasi ky vit shkollor është dëmtuar mjaftueshëm.
Samir Shahini tha se Kosova numëron rreth 330 mijë nxënës në sistemin parauniveristar, në këtë shifër dominojnë për 10 mijë nxënës meshkuj sesa femra. Ai shtoi se në Kosovë vazhdon të jetë e ulët përfshirja e nxënësve në arsimit parashkollor.
Si sfidë kryesore, ai ka renditur zbatimin e kontratës kolektive për çka tha se as MASHT-i nuk u ka ofruar përkrahje.
“Sfidë kryesore vazhdon të mbetet zbatimi i kontratës kolektive në komunat e cila në fillim në hartim të saj ka pas probleme dhe pastaj vazhdon të reflektojë tash e sa vite në kontratën paraprake por edhe në kontratën e re të nënshkruar në vitin 2021 nga ish-ministri Ramë Likaj vazhdojmë të kemi mos alookim të buxhetit për kryerjen e obligimeve që iu dalin komunave nga kontrata kolektive. Pastaj, një nga problemet e tjera më të theksuara është sfida e rekrutimit dhe ndeshja e dy ligjeve të cilat thonë krejt diçka tjetër njëri prej tjetrit për rekrutim të stafit, kemi Ligjin për Arsim Parauniveristar dhe atë për Shërbyes Publik i cili ia delegon përgjegjësinë e rekrutimit zyrave të personelit nëpër komuna dhe sot në realitet kemi disa komuna që vazhdojnë të kryejnë rekrutimin përmes njësisë kërkuese DKA në këtë rast dhe disa komuna që bëjnë rekrutimit përmes zyrës së personelit”, tha ai.
Shahini, i cili është edhe drejtor për Arsim në Komunën e Fushë-Kosovës, theksoi se në këtë vit shkollor ka një rënie të numrit të nxënësve prej 12 mijë nxënës në nivel vendi. Si shqetësim tjetër ka ngritur edhe disbalancën e mësimdhënësve nëpër komuna.
“Nga viti i fundit shkollor 2020-2021 dhe 2021-2022 kemi një rënie prej 12 mijë nxënës në nivel të vendit e cila është shqetësuese për secilin prej nesh, por për këtë janë disa faktorë që i dimë dhe nuk ka nevojë t’i elaburojmë këtu. Ajo që neve na shqetëson është se kjo rënie nuk është përcjell me një reformim të sistemit parauniveristar në komuna nga asnjë qeveri deri më tani. Kemi pasur disa shenja të mira nga kjo qeverisje, është hera e parë që dikush e konsideron të bëjë një risistemim ose një rregullim më të mirë të numrit të shkollave, mënyrën se si funksionojnë dhe menaxhmentit qoftë në baza të regjioneve, komunave apo shkolla për të balancuar mungesën e mësimdhënësve në masë të madhe në disa komuna si ajo e Prishtinës, Fushë-Kosovës, dhe pastaj kjo mungesë vazhdon të përcillet thuajse në të gjitha komunat por në qytete në Gjilan kemi mungesë të madhe të mësimdhënësve në qytet por vazhdojmë të kemi numër të ulët të nxënësve në fshatra”, theksoi ai.
Shahini ka folur edhe për grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u për çka tha se në këtë moment duhet të vihet interesi i nxënësve përpara, pasi ky vit shkollor sipas tij edhe ashtu është i dëmtuar.
“Disa nga shqetësimet e tjera janë edhe SBASHK-u, nuk mund të kalojmë pa përmendur grevën e cila është konfirmuar nga SBASHK-u me 12 muaj, ky është vetëm fillimi shpresoj se nuk do të eskalojë. Ata kanë lajmëruar se do të ketë grevë 1-orëshe në të gjithë nivelin parauniveristar në Kosovë ne kemi kontaktuar në nivel lokal me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe qëndrimi ynë si Asociacion i Komunave, si Kolegjium për Arsim, është që mësimdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë atë që kërkojnë, mirëpo dua të konsiderojmë së bashku me mësimdhënësit dhe këtë trekëndëshin pushtetit lokal dhe qendror dhe SBASHK të konsiderojmë fillimisht interesin e nxënësve. Ky vit nuk duhet të dëmtohet më tepër, ky vit shkollor është dëmtuar që nga fillimi, rikujtojmë që viti shkollor ka nisur me shumë vonesë është punuar të shtunave ashtu siç është punuar dhe lirisht mund të konsiderojmë si të humbura”, theksoi ai.
Kurse, drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati kërkoi nga anëtarët e Komisionit për Arsim që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të shtyrë përpara procesin e Bordit të OSHP-së.
Duke folur për problemet me të cilat po përballet sistemi parauniveristar, udhëheqësi i Kolegjiumit për Arsim Parauniveristar, Samir Shahini tha se ka mungesë të hapësirave si laborator dhe kabinete të ndryshme por edhe palestra sportive. Derisa edhe për inspektorët që inspektojnë shkollat konsideroi se numri i tyre është i vogël por edhe jo produktiv për shkak edhe të moshës dhe mbingarkesës së tyre.