UBT News

Artistja afgane përmes artit shfaq jetën në Afganistan pas kthimit të talibanëve

Vetëm disa ditë para se talibanët ta merrnin kontrollin në Kabul, Sara Rahmani gjatë kohës së lirë filloi të realizonte portretin e një vajze, në shtëpinë e saj në Kaliforni, mijëra kilometra larg nga vendi ku i rrah zemra më mirë: Afganistan.

“Fillova ta realizoja pikturën e një vajze të bukur si zakonisht, sepse më pëlqen të shfaq anën e bukur të njerëzve të mi, kulturën dhe fëmijët e bukur që janë atje. Fillova skicat dhe pastaj të vizatoja. Pas disa ditësh, ata e morën kontrollin në Kabul dhe ndjeja aq shumë dhimbje në zemër”, deklaroi ajo.

Rahmani dhe familja e saj shkuan në Amerikë katër vite më parë. Babai i saj po punonte në një kompani amerikane. Tani Rahmani studion në inxhinieri civile në ShBA dhe po e shijon artin si hobi.

Para se të zhvendosej në Kaliforni, Rahmani gjithashtu kishte ndjekur mësimet në inxhinieri civile në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

“Më vjen shumë keq për kolegjin tim dhe vajzat që ishin me mua atje. Ato janë vërtet të frustruara dhe me të vërtetë në një situatë të keqe. Nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre”, deklaroi ajo.

Rahmani deklaroi se shumica e vajzave me të cilat ajo studionte punonin në zyre, por tani janë të papuna. Ato i treguan asaj se nuk mund të veshin çfarë të duan dhe kur dalin nga shtëpitë e tyre duhet të shoqërohen nga një burrë.

Ndërsa Rahmani i hodhi një sy pikturës së saj, zëri i saj ishte plot emocione.

Në pjesën e poshtme nga ana e majtë e pikturës ajo përfshiu ngjyrat e flamurit kombëtar të Afganistanit. Dy gra janë fotografuar të veshura me fustana tradicional, me gërsheta dhe bizhuteri që tregojnë kulturën e pasur të vendit, tha Rahmani. Njëra është duke realizuar një vallëzim tradicional që afganët shpesh e interpretojnë në ngjarje të veçanta siç janë dasmat, ndërsa tjetra po shkruan “paqe” në Farsi.

Rahmani pastaj vendosi një vajzë në qendër të pikturës.

“Ky është portreti i vajzës që e fillova, dhe pastaj u kthye në pikëllim. E shihni një copëz drite – është ana e mirë e Afganistanit para se talibanët ta marrin kontrollin në këtë shtet. Është e lumtur. Këtë lule të bukur e ka marrë nga e ëma. Shamia në kokën e vajzës është e gjelbër – njgyra e paqes, lumturisë dhe e gëzimit për afganët. Qielli është i kaltër. Dielli, lumturia dhe zogjtë po fluturojnë pranë aeroplanëve ushtarakë”, deklaroi ajo.

Në këtë imazh ajo shfaq edhe anën e errët, momentin e evakuimit, dikë që po mundohet ta shpëtojë fëmijën.

Duke shikuar këtë imazh, ajo tha: “Të jem në Amerikë, ndihem më mirë. Por në anën tjetër, s’është vendi yt. Je i huaj. Gjuha dhe kultura janë ndryshe. Gjithçka është ndryshe, edhe nëse jeni të qetë.. diçka i mungon zemrës – atdheu. Asgjë s’mund ta zëvendësojë atë”.

Teksa po i rridhnin lotët, ajo tha: “Dua që bota ta di se.. ata që po vrahen janë njerëz të pafajshëm. I humbën nënat, fëmijët.. kur do të përfundojë kjo?”/UBTNews

Exit mobile version