UBT News

Artisti nga Gjakova krijon portretin e Merkel me fara dhe drithëra: Ishte gruaja më e fuqishme në botë

Alkent Pozhegu është një artist nga Kosova i apasionuar pas mozaikëve.

Vepra e tij e fundit është portreti i kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Merkel paraqet shumëçka, sepse ka arritur të jetë femra më e fuqishme në botë, që ka fituar 4 mandate dhe ka arritur t’i japë shembull të gjitha femrave në botë.”

Pozhegu mban disa rekorde “Guinness” për krijimin e mozaikëve gjigantë.

Portreti i Merkelit i ka përmasat 3 me 4 metra dhe për të janë përdorur rreth 100 kg fara e drithëra të ndryshme.

“Janë përdorur misër i bardhë, i kuqë, portokalli, grurë, oriz dhe farë luledielli.”

Kancelarja Merkel këtë vit do e lërë përfundimisht politikën, por vlerësimet për të në Kosovë janë të larta, pasi ajo gjithmonë e ka mbështetur pa rezerva kauzën e vendit për pavarësi.

“Besoj se ne nga  Kosova duhet të jemi falenderues tërë jetën, sepse gjatë gjithë kohës nuk ka munguar mbështetja e fuqishme që kemi pasur nga Angela Merkel.”

Artisti nga Gjakova, Alkent Pozhegu, hyri në librin e rekordeve “Guinness” në vitin 2014 me mozaikun me dy yjet e futbollit, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, ndërsa ka portretizuar edhe personalitete të artit e politikës, si Rita Orën, ish-presidentin amerikan, Donald Trump apo pasardhësin e tij, Joe Biden.

Exit mobile version