UBT News

Artisti kosovar Jakup Ferri nderohet në St James’s Palace

Një moment i rrallë dhe i veçantë për artin shqiptar ka ndodhur në zemër të Londrës.

Artisti i njohur kosovar, Jakup Ferri, u takua me Madhërinë e Tij, Mbretin Charles III, gjatë një pritjeje zyrtare në St James’s Palace, një nga rezidencat më të njohura mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar.

Ky takim u zhvillua në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku Mbretëria e Bashkuar priti artistë nga e gjithë rajoni.

Në këtë event prestigjioz, Ferri u përzgjodh për të ekspozuar veprat e tij, duke përfaqësuar Kosovën përkrah artistëve ndërkombëtarë.

Në një postim në Instagram, Ferri shprehu emocionet pas takimit me monarkun britanik, duke e quajtur atë “nder të madh” dhe falënderoi British Council për ftesën dhe mundësinë për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme.

I lindur në Prishtinë në vitin 1981, Jakup Ferri është një nga artistët bashkëkohorë më të vlerësuar nga Kosova. Ai njihet për stilin e tij unik dhe poetik, ku ndërthur elemente të artit popullor me vizatime naive dhe ngjyra të forta e të gjalla.

Punimet e tij përfshijnë piktura, vizatime dhe tapiceri të endura, të cilat janë prezantuar në disa nga ekspozitat dhe institucionet më të njohura ndërkombëtare, përfshirë Biennalen e Venecias 2022, Kunstmuseum Luzern në Zvicër dhe EMΣT – Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë.

Exit mobile version