Ndërsa vendimmarrësit kryesorë botërorë po mblidhen për Forumin vjetor Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, artistët ukrainas e kanë transformuar Shtëpinë e Rusisë – vendin që zakonisht përdoret nga delegatët rusë – në një “Shtëpi për Krimet e Luftës në Rusi”.
Imazhet e shkatërrimit masiv në qytetet ukrainase të bombarduara nga trupat ruse shfaqen në një ekspozitë në ndërtesën e qytetit alpin zviceran.
Pushtimi rus i Ukrainës kryeson agjendën e mbledhjes katërditore, e cila do të nisë sot me një videofjalim të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. As zyrtarët rusë dhe as kompanitë nuk do të marrin pjesë në këtë samit këtë vit.
Presidenti i WEF, Borge Brende ka bërë thirrje për një Plan Marshall për të rindërtuar Ukrainën. Duke iu referuar nismës së ShBA-së që ndihmoi në rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, ai tha se puna e rindërtimit duhet të vazhdojë në Ukrainë me ose pa një zgjidhje paqeje./UBTNews/