Festa e Birrës që do të organizohet në Korçë, gjatë datave 18-22 gusht, ka ftuar edhe këngëtarin serb Goran Bregovic, si të ftuarin special të natës.
Megjithëse ishte cilësuar si frymëzim i ushtrisë serbe për masakrat në Kosovë, me këngën e tij “Kallashnikov”, kjo nuk po i ndalon organizatorët në Bashkinë e Korçës që ai të ftohet për koncert.
Megjithatë, shumë artistë shqiptarë reaguan kundër ardhjes së tij, dhe po bëjnë thirrje për bojkot.
“Pavarësisht çfarë artisti është, vetëm pak respekt duam për dhimbjen tonë, që ky e ka frymëzuar me muzikën e tij”, ka shkuar këngtarja kosovare Vesa Luma.
Bashkëshorti i Lumës, reperi Big Basta iu bashkangjit thirrjes duke thënë se: “Kam një mesazh më të qartë dhe më të denjë si reper, duke i dalë në krahë në çdo sekond gruas sime dhe fjalës së saj kundër përkrahjes së shkaut”.
Edhe këngëtarja Besa Kokëdhima ka reagur për ftesën që iu është bërë këngëtarit serb.
“Ai është një artist i mirë, por dukshëm jo edhe një njeri i mirë. Bojkotojeni. Mos lëndoni motrat dhe vëllëzërit tanë nga Kosova. Nuk ka arsyje që ai të jetë i ftuari special nënjë event kaq tradicional. BOJKOTOJENI”, ka shkruar Besa në llogarinë e saj.
Përveç artistëve, thirrjes për bojkot iu është bashkuar edhe moderatorja e famshme shqiptare, Eva Murati.
“Sorry @festaebirreskorce! NUK DO JEM ATJE KETE VIT! Nuk jam e sëmurë me sindromen e Stockholm-it! Thuhet arti duhet të jetë jashtë politikës, po përse nga të gjithë këngëtarët shqiptarë, italianë, anglezë, etj., përse duhet të merret pikërisht një këngëtar serb që me këngët e tij ka frymëzuar serbët për krimet në Kosovë?” ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Instagram.
Më i ashpër është treguar reperi Noizy, i cili madje ka kërcënuar me dhunë nëse Bregovic vjen e këndon në Shqipëri.
“Anulojeni atë ose do të nxis fansat, ashtu siç nxiti ai në luftën e Kosovës, shishe birra kokës, çuna e dini vet ju”, ka shkruaj ai në Insta Story.
Ai ka thënë se më përpara është dashur të performojë Dua Lipa, që po kalon pushimet në jugun e Shqipërisë, se sa këngëtari serb.
“Dua Lipa ësht këtej… plus e njeh e gjithë bota… thirreni atë”, përfundoi Rajko.
Edhe reperi Stresi ka bërë thirrje për bojkot nga llogaria e tij në Instagram.
“Bojkotoni festën e birrës në Korçë. Si mundet të ftohet një këngëtar serb që ka qenë pro masakrës të vëllezërve, motrave, nënave shqiptare të Kosovë”, shkroi Stresi në InsatStory.
Së fundi nga reagimet ka qenë edhe këngëtaret e njohura shqiptare, Eni Koci dhe Xhensila Myrtezaj.
“Sa turp që shqyrtohet nga autoritetet përkatëse në Korçë, ardhja e Goran Bregovicit. Një artist aleat i pushtetit serb dhe mbështetës i shtypjes brutale ndaj shqiptarëve. Shqipëria do ecë përpara vetëm kur të gjithë shqiptarët ta duan me shpirt vendin e tyre. Që një vend të zhvillohet duhet që populli ta dojë vendin, ta mbrojë identitetin dhe gjakun e vet edhe përtej kufijve”, shkroi fillimisht Koci në një status në InsatStory.
“Nuk ka dallim mes Shqipërisë dhe Kosovës, ne jemi një. Nuk ka dallim as në sytë e popujve të tjerë si serbët, edhe për ta jemi një. Bashkia e Korçës me “Birra Korçën” e cila më duket është një ndër sponzorët kryesorë, duhet ta anulojnë këtë koncert”, përfundon ajo.
Ndërsa Xhensila Myrtezaj e ka cilësuar ardhjen e tij si ‘të tepruar’.
“Mendoj se ka shumë artistë edhe më të mirë për të ftuar. Ajo çka i ka ndodhur Kosovës ka qenë një gjenocid i madh. Sigurisht se muzika është universale po në momentin se dikush ka manifestuar armiqësi me motrën tënde, pasi Kosova është motra e Shqipërisë, është e tepruar. Mendoj se ka mundur të ketë artistë tjerë që do mund të performonin”, ka thënë ajo.
Përkundër reagimeve të shumta dhe thirrjeve për bojkot të festivalit, Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës, deklaroi se Bregoviç do të këndojë në Shqipëri dhe se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, pasi sipas saj, Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën./UBTNews