Mikel Arteta ka konfirmuar se William Saliba nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e nesërme kundër Manchester City-t.
Raportet të hënën sugjeruan se problemi i shpinës së mbrojtësit po vazhdon ta shqetësojë edhe më tutje.
Sido që të jetë, është e qartë se Saliba është në vështirësi dhe se ai nuk do të udhëtojë për në Mançester.
“Nuk ka pasur ndonjë përmirësim të vërtetë, për fat të keq për të”, tha Arteta në konferencën e tij për shtyp të martën.
“Ne jemi ende duke pritur, ne jemi ende me shpresë, por padyshim, është një javë tjetër që ka kaluar dhe ai nuk ka mundur të stërvitet me ekipin”, theksoi më tutje Arteta.
Në dyshim për derbin e madh anglez është edhe Granit Xhaka. Reprezentuesi zviceran nuk ishte mirë javën e kaluar dhe humbi barazimin 3-3 të së premtes me Southamptonin.
Arteta pretendoi se mesfushori është ende në dyshim.
“Graniti nuk është stërvitur rregullisht. Shpresoj se ai do të jetë në gjendje të stërvitet sot, por ai është ende në dyshim. Pjesa tjetër e skuadrës është në rregull”, theksoi ai.
Manchester City dhe Arsenali përballen nesër në “Etihad” nga ora 21:00.