Muzeu Historik Kombëtar dhe Bashkia e Elbasanit organizuan ditën e djeshme një ekspozitë të veçantë fotografike dhe dokumentare me titull “Kongresi i Arsimit Mbarëkombëtar Shqiptar”, në nder të 115-vjetorit të Kongresit të Elbasanit dhe hapjes së Shkollës Normale.
Ekspozita përshkruan me kujdes rrugëtimin historik të shkrimit të gjuhës shqipe dhe ofron një pasqyrë të detajuar mbi momentet kyçe të Kongresit të Elbasanit dhe të Shkollës Normale, e para shkollë kombëtare e hapur në këtë qytet.
Hapja e ekspozitës u zhvillua pranë godinës ku u mbajt Kongresi i Elbasanit, duke ofruar për të pranishmit një udhëtim të thellë nëpër kohë dhe një mundësi për të mësuar më shumë rreth trashëgimisë kulturore të vendit tonë, shkruan ATA.
Kjo ekspozitë është përgatitur me përkushtim nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Arkivin Digjital të Elbasanit.
Aktiviteti u nderua me pjesëmarrjen e kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, rektorës së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elvira Fetahu, si dhe deputetëve dhe personaliteteve të tjera. Kongresi i Elbasanit ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme historike për vendimet e tij në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike dhe mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj, duke i zëvendësuar ato me shkolla shqipe./UBTNews/