Pas nënshkrimit me mesfushorin Eberechi Eze, Arsenali po synon të sigurojë edhe një tjetër objektiv të Tottenhamit në këtë afat kalimtar veror. Sipas një raportimi nga gazetari David Ornstein, klubi nga “Emirates” është duke punuar për një marrëveshje me mbrojtësin Piero Hincapie të Bayer Leverkusen.
Hincapie, i cili mund të luajë si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i majtë, është aktualisht nën kontratë me kampionët e Gjermanisë deri në vitin 2029. Megjithatë, 23-vjeçari raportohet se ka shprehur dëshirën për t’u larguar gjatë kësaj vere. Ai ka një klauzolë lirimi prej 60 milionë eurosh, por po zhvillohen bisedime për ta ulur këtë çmim në një vlerë më të përballueshme.
Arsenali, i cili ka afruar tashmë shtatë lojtarë të rinj gjatë verës, përfshirë Viktor Gyokeres dhe Martin Zubimendi, thuhet se është i gatshëm të avancojë në bisedime me Leverkusen, me kusht që të realizohen disa largime nga skuadra aktuale për të balancuar financat.
Raporti i Ornstein vjen menjëherë pas lajmeve se Tottenham kishte bërë një ofertë për Hincapie, duke propozuar një marrëveshje huazimi me detyrim blerjeje në verën e ardhshme. Spurs kanë nisur gjithashtu diskutimet për kushtet personale me lojtarin.
Megjithatë, preferenca e vetë Hincapie thuhet se është një kalim te Arsenali, që tani duket se janë në pozita më të favorshme për të siguruar nënshkrimin e tij, duke ndjekur një rrugë të ngjashme me transferimin e Eze.