Riccardo Calafiori ishte ndër të paktat nota pozitive të Italisë në Euro 2024, aty ku të kaltrit u eliminuan që në fazën e 1/8-ave, teksa mbrojtësi i Bolognës tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e tij në tre ndeshjet në grupe.
Italiani ndiqej nga shumë klube, përfshi edhe Juventusin në Itali, megjithatë e ardhmja duket se do të jetë në Premier League, aty ku Arsenali duket i vendosur të transferojë Calafiorin dhe është gati të plotësojë dëshirat e Bolognës.
Këta të fundit kanë bërë me dije se kërkojnë 50 milionë euro për kartonin e mbrojtësit, ndërsa Arsenali ka ofruar 47, shifër që mund të shkojë në 50 milionë euro bashkë me bonuset mbi performancën.
Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë se ajo që ka ofruar Juventusi, teksa Arsenali ka joshur jo vetëm Bolognën, por edhe vetë Calafiorin, i cili pritet të japë miratimin për transferimin në Londër brenda fundit të kësaj jave. Vlen të theksohet se 40% të shumës së arkëtuar nga shitja e mbrojtësit 22-vjeçar, Bologna duhet ta kalojë në arkat e zviceranëve të Basel, klub ku Calafiori luante deri në verën e kaluar, kur edhe u transferua tek emilianët./UBTNews/