Arsenali i ka dalë ta nxjerrë një barazim 3:3 nga asgjë kundër West Hamit, duke e shmangur disfatën me një lojë luftarake pasi po humbiste 3:0 pas gjysmë ore lojë në Londër.
Dy autogola nga Tomas Soucek dhe Craig Dawson dhe një supergol me kokë nga Alexandre Lacazette ia mundësuan Arsenalit rikthimin e bujshëm në Stadiumin Olimpik të Londrës, pasi Jesse Lingard Jarrod Bowen dhe Tomas Soucek i kishin shënuar tri gola të shpejtë për vendasit, raporton Gazeta Express.
Megjithëse Arsenali e pati topin në mbizotërim shumicën e kohës, West Hami bëri ndeshje argëtuese duke luajtur ndeshje të hapur që u dha mundësi të dy skuadrave të krijonin shumë raste shënimi.
Në një hapësirë kohore prej 17 minutave, skuadra e David Moyes e krijoi një epërsi prej tre golave, kur shënuan Lingard, Bowen dhe Soucek.
Por fakti që vendasit vazhduan të bënin lojë të hapur, i dha mundësinë topçinjve të ktheheshin në lojë.
Soucek shënoi në portën e vet në tentim për ta larguar topin në minutën e 38-të.
Dawson e bëri të njëjtën gjë kur akrepat shënonin një orë lojë, duke i dhënë Arsenalit arsye dhe duke e nxitur të luftojë për ta shmangur humbjen.
Rreth tetë minuta para fundit, Lacazette shënoi gol të bukur me kokë pas një harkimi nga Pepe, duke e kompletuar rikthimin e skuadrës së Mikel Artetës.
Ky barazim vjen pas humbjes kundër Manchester United për West Hamin, i cili ngel në pozitën e pestë në Premierligë me 49 pikë, dy më pak se top katërshja.
Arsenali, ndërkohë, vazhdon të jetë në pozitën e nëntë me 42 pikë, nëntë larg Chelseat në top katërshe.