Arsenali është njëra nga skuadrat që ka befasuar më së shumti për të keq këtë edicion në Angli. Forma e dobët dhe problemet në repartin defensivë kanë bërë që trajneri Mikel Arteta të mendojë për përforcime të mëdha në janar.
Londinezët pas 12 ndeshjeve të zhvilluara e shohin vetën në pozitën e 15-të në tabelë me vetëm 13 pikë. Emri i parë në listën e trajnerit spanjoll është ai i mbrojtësit të Villarealit, Pau Torres. Qendërmbrojtësi 23-vjeçar po vlerësohet jashtëzakonisht shumë në La Liga, pasi ka shkëlqyer në dy vitet e fundit me fanellën e ‘Nëndetëses së verdhë’.
Mirror ka raportuar se Topçinjtë janë të gatshëm të shpenzojnë 60 milionë euro në janar për transferimin e Torresit në ‘Emirates Stadium’. Megjithatë skuadra londineze nuk do ta ketë aspak të lehtë afrimin e lojtarit, pasi klube tjera të mëdha interesohen për të.
Barcelona, Real Madrid, Liverpool e Manchester United gjithashtu kanë shprehur interesim për reprezentuesin spanjoll. Torres këtë edicion ka luajtur në 14 ndeshje për Villarealin ku ka arritur të shënoj edhe dy gola.
Mbrojtësi i talentuar spanjoll ka dalë nga akademia e Villarealit, ku së fundmi është bërë edhe pjesë e formacionit bazë te Kombëtarja e Spanjës falë formës së mrekullueshme që është duke e kaluar.