UBT News

Arsenal- Atletico Madrid, derbi i së martës në Champions

Gara në Ligën e Kampionëve vazhdon me ndeshjet e xhiros së tretë të fazës së ligës, ku sot janë nëntë ndeshjet e para të xhiros së tretë, kurse vëmendja do të jetë në stadiumin “Emirates” në Londër.

Nga ora 21:00 takohen Arsenali dhe Atletico Madridi, në ndeshjen më interesante të së martës.

Arsenali ka fituar dy ndeshjet e para, njëjtë si Bayerni, Real Madridi, PSG-ja, Interi e Qarabagu. Skuadra e Mikel Artetas në xhiron e parë fitoi 2:0 në udhëtim tek Athletic Bilbao, ndërsa në të dytën fitoi po me 2:0 ndaj Olympiacosit.

Skuadra e Diego Simeones, Atletico Madridi, në xhiron e parë humbi 3:2 nga Liverpooli, ndërsa në të dytën e shkatërroi, 5:1, skuadrën gjermane, Eintracht Frankfurt.

Arsenali është në moment të mirë edhe në Premier League. Pas xhiros së tetë udhëheqë në tabelë me 19 pikë. Në fundjavë “topçinjtë” fituan 1:0 ndaj Fulhamit.

“Ishte një fillim i mahnitshëm i edicionit për ne. Por gjëja më e rëndësishme është se si përfundon kampanja. Është mirë që jemi në moment pozitiv. Ekipi është plot me besim dhe ne jemi në ecuri të mirë. Por na pret rrugë e gjatë. Gjëja e mirë është që në aspektin mental jemi gati për ndeshje dhe që të japim më të mirën”, ka thënë mesfushori i Arsenalit, Mikel Merino.

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, foli me respekt për Simeonen dhe punën që e ka bërë ai tek Atletico.

Ndërkohë, Simeone ka theksuar se në Londër kanë udhëtuar për fitore.

“Kemi ardhur me shpresë për ndeshje të madhe dhe për të siguruar fitoren që na duhet. Synojmë fitore në udhëtim në Ligën e Kampionëve. Do t’i qasemi ndeshjes me intensitetin që e meriton”, ka theksuar Simeone.

Të martën janë edhe disa ndeshje të tjera interesante:

Nga ora 18:45, Barcelona e pret Olympiacosin dhe llogarit në fitore tjetër.

Në termin të njëjtë zhvillohet ndeshja mes Kairat Almatyt dhe Pafosit qipriot.

Fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint Germaini nuk pritet të ketë punë të lehtë ndaj Bayer Leverkusenit në Gjermani. Leverkuseni është nënkampion i Gjermanisë.

Fitore në udhëtim synojnë edhe dy skuadrat e mëdha italiane.

Kampioni i Italisë, Napoli, luan në Holandë ndaj PSV-së, ndërsa Interi luan në Belgjikë ndaj Royale Union.

Ndërkohë Manchester City i Pep Guardiolas është mysafir i Villarrealit në Spanjë.

Copenhagen- Dortmund dhe Newcastle United-Benfica janë ndeshjet tjera sonte./S.K/EO/

Exit mobile version