Izraeli është pajtuar për pauza të shkurtra humanitare në Gaza për të lejuar vaksinimin e fëmijëve kundër poliomielitit, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Përmes kësaj fushate, e cila pritet të fillojë të shtunën, synohet të vaksinohen rreth 640 mijë fëmijë përreth Gazës.
Vaksinimi do të ndahet në tri faza, rreth pjesëve qendrore, jugore dhe veriore të Gazës. Gjatë secilës fazë, luftimet do të ndalen mes periudhës 06:00-15:00. Vaksinimi do të kryhet nga stafi i OKB-së dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë vendorë.
Rreth 1.26 milionë doza të vaksinës kundër poliomielitit janë në Gaza, dhe pritet që edhe 400 mijë të tjera shtesë të arrijnë së shpejti.
Poliovirusi është shumë infektiv dhe më së shpeshti përhapet përmes ujërave të zeza dhe ujit të kontaminuar.
Mund të shkaktojë shpërfytyrim dhe paralizë, dhe është potencialisht fatale. Kryesisht prek fëmijët nën moshën pesë vjeç./UBTNews/