Një person është arrestuar në Egjipt pasi që është paraqitur nën identitetin e futbollistit Mostafa Mohamed, gjatë një provimi kompjuterik në fakultet.
Tani babai i Mohamed ka reaguar menjëherë duke mohuar spekulimet nga mediat lokale që i biri i tij kishte kërkuar nga shoku i tij që ta mbante provimin për të.
Momentalisht futbollisti Mostafa Mohamed gjendet në Kamerun në grumbullim me Egjiptin, në kuadër të Kupës së Afrikës.
Ndërkaq provimi në të cilin Mohamed duhej të hynte mbahej në Institutin e Lartë të Menaxhmentit dhe Teknologjisë Informative në provincën e Kairos.
Raportohet se personi në fjalë kishte refuzuar që të tregonte mjetin e tij të identifikimit kur i ishte kërkuar nga personat në fakultet, të cilët më pas kishin treguar se dyshohej që ai kishte tentuar për të përdorur identitetin e Mohamed.
I akuzuari tregoi që ai vetëm u mundua që ta shpëtojë shokun e tij, në mënyrë që ai mos të dështonte në provim.
“Dëshiroja që të qëndroja përkrah tij sepse ai është në Kombëtaren e Egjiptit në Kupën e Afrikës, dhe atij iu desh që të shkonte në provim dhe ai është një hero”, tha i akuzuari.
Në anën tjetër, babai i Mohamed refuzoi që i biri i tij është i përfshirë në këtë incident.
“Nëse ai ka një provim, ai do të kërkonte falje ose do të bënte kërkesë në Ministrinë e Arsimit”, tha babai i Mohamed.
Sot me fillim nga ora 16:00 Kombëtarja e Egjiptit do të zhvillojë ndeshje kundër Bregut të Fildishtë, e vlefshme kjo për fazën eliminatore të Kupës së Afrikës.