UBT News

Arrestohet pas arratisë i dyshuari për vrasje të rëndë, i gjenden armë e dokumente të falsifikuara

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas një pune intensive në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i të pandehurit me iniciale M.G., i cili ishte në kërkim për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.

Gjatë operacionit të arrestimit, policia ka sekuestruar dy armë, një sasi të narkotikëve si dhe dokumente të falsifikuara, të cilat i dyshuari i kishte përdorur gjatë kohës sa ishte në arrati për t’iu shmangur identifikimit. Me urdhër të prokurorit, M.G. është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Përveç të dyshuarit kryesor, në këtë aksion është arrestuar edhe një person i dytë, i cili dyshohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale”.

“Prokurori i shtetit me kohë do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore të nevojshme, si dhe do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për masën e sigurisë së të pandehurit në procedurë penale,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Institucioni i akuzës ka rikonfirmuar përkushtimin për t’i vendosur para drejtësisë të gjithë kryerësit e veprave penale, duke siguruar se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rrethanave.

Exit mobile version