Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave, është arrestuar një person në Suedi.
Si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Kosova, është prangosur personi me inicialet A.G., ndërsa atij i janë konfiskuar pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, ky rast përbën precedentin e parë ku autoritetet suedeze kanë arritur të sekuestrojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.
Tutje bëhet e ditur se Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në koordinim me autoritetet e Suedisë do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për konfiskimin e pasurive edhe në Kosovë.
Ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga aktivitete illegale. Në njoftimin e prokurorisë nuk janë dhënë detaje shtesë për lidhjen e saktë të personit të arrestuar me shtetin e Kosovës. /E.A/
