Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është ndaluar për 48 orë në Pejë, nën dyshimin se ka kryer dy vepra të rënda penale kundër integritetit seksual ndaj vajzës së tij të mitur.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se Prokurori i Shtetit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa viktima po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore.
Sipas të dhënave zyrtare nga raporti i Prokurorit të Shtetit, Departamenti për Të Mitur po e ngarkon të dyshuarin për veprat penale “Sulmi seksual” dhe “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të fëmijëve”.
Gjatë zhvillimit të hetimeve, organet e rendit kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, me ç’rast janë sekuestruar prova materiale, kryesisht pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale. /E.A/
