UBT News

Arrestohet një person në Pejë për manipulim me prova, lidhet me rastin e vdekjes së një punëtori

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se është arrestuar një person në kuadër të hetimeve për vdekjen e një punëtori në një vendpunishte në fshatin Gllaviqicë të Pejës, rast i ndodhur më 29 prill 2026.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, arrestimi është realizuar pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara në koordinim me Drejtorinë Rajonale të Hetimeve në Pejë.

I dyshuari po hetohet për veprat penale “Manipulimi me prova” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas legjislacionit penal në fuqi.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i arrestuar është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj një familjari të të pandehurit po zhvillohen veprime hetimore për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sipas organit të akuzës, brenda afateve ligjore do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e sigurisë së punëtorëve në vendet e punës dhe në ndjekjen penale të personave përgjegjës për shkeljet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e tyre.

Exit mobile version