Një person është arrestuar në Mitrovicën e Veriut pasi dyshohet se kishte veshur pjesë të uniformës së Policisë së Kosovës pa qenë pjesëtar i këtij institucioni.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari është ndaluar dhe është shoqëruar në stacionin policor për intervistim. Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar tri veshje që i përkisnin Policisë së Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave dhe me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë.
