UBT News

Arrestohet një person i dyshuar për posedim të Kokainës në Prizren në vlerë rreth 300 mijë euro

Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, kanë ndërmarrë veprime operative të suksesshme që kanë rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhur me substanca narkotike.

Me datë 11 gusht 2025, në rrugën “Viljam Voker” në Prizren, është arrestuar i dyshuari me iniciale H.K. (1994) shtetas i Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollit të realizuar në dy lokacione me urdhër të prokurorit kompetent, në njërën nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale:

· Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 4 kg e 440 gram;

· Dy (2) peshore elektronike;

· Të holla (para) në vlerë prej 260 euro;

· Një (1) pajisje për vakumim të qeseve plastike;

· Një (1) motoçikletë PIAGGIO VESPA;

· Një (1) telefon mobil iPhone 15 Pro Max;

· Një (1) skalper;

· Sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim.

Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në 300,000 (treqind mijë) euro.

I dyshuari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga ana e Njësisë së antidrogës në Prizren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër narkotikëve dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë, duke raportuar çdo informacion të dyshimtë tek organet e rendi.

Exit mobile version