UBT News

Arrestohet një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë njoftuar përmes një komunikate të përbashkët se kanë arrestuar gjyqtarin me inicialet A.G., nga Gjykata Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.

Arrestimi erdhi pas një hetimi intensiv disa-mujor të zhvilluar nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës.

Sipas organeve të drejtësisë, provat e mbledhura gjatë kësaj periudhe kanë krijuar bazën e mjaftueshme për ndërmarrjen e masës së arrestimit:

“Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”, thuhet në komunikatë.

Organet e hetimit bënë të ditur se detaje të tjera nuk mund të bëhen publike për momentin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe me standardet e drejtësisë penale”, përmbyllet njoftimi i përbashkët. /E.A/

 

Exit mobile version