Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë komunikacioni që ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Prizren-Gjakovë, saktësisht në fshatin Piranë.
Sipas raportit zyrtar 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:20, ku u përfshi një automjet dhe një këmbësor.
Policia ka konfirmuar se lidhur me rastin “është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti duke drejtuar automjetin dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar”.
Përkundër ndërhyrjes, goditja ka rezultuar fatale për këmbësorin, “të cilit i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor”.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kompetent për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me vendim të prokurorit, “trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik në komunikacion.
