Policia në Haiti tha se ka arrestuar një mjek, që beson se është “i dyshuari kryesor” në organizimin e vrasjes së presidentit haitian, Jovenel Moise.
Policia tha se Christian Emmanuel Sanon, 63 vjeç, shtetas i Haitit, ka shkuar atje me avion privat në fillim të qershorit, për “motive politike”.
Shefi i policisë, Leon Charles, tha se plani fillestar ka qenë të arrestohet presidenti, por “misioni pastaj ka ndryshuar”.
Charles nuk dha më shumë hollësi.
Presidenti Moise, 53 vjeç, është vrarë në rezidencën e tij më 7 korrik.
Policia ka fajësuar më herët 28 mercenarë të huaj.
Gruaja e presidentit, Martine Moise, është plagosur në sulm dhe pastaj është dërguar për trajtim në SHBA.
Ajo ka thënë se sulmi ka ndodhur aq shpejt, saqë burri i saj nuk ka qenë në gjendje të thotë “asnjë fjalë të vetme”.
Presidenti i vrarë i Haitit, Jovenel Moise, dhe gruaja e tij, Martine.
Një delegacion i zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe drejtësisë amerikane ka arritur të dielën në Haiti për të vlerësuar situatën e sigurisë.
Moise ka qenë president i Haitit – vendit më të varfër në dy Amerikat – qysh në vitin 2017.
Ai është përballur me akuza për korrupsion dhe është sfiduar nga disa protesta anti-qeveritare.