UBT News

Arrestohet e dyshuara për vjedhjen e mbi 170 mijë dollarëve në shtëpinë e mërgimtarit

Policia e Kosovës në Pejë ka arrestuar një person të dyshuar për një vjedhje të rëndë që kishte ndodhur në fillim të këtij viti.

Pas një pune intensive hetimore, policia ka arrestuar sot një grua, e cila dyshohet se ka grabitur një shumë marramendëse parash nga një shtëpi në rrugën “Ndue Përlleshi”.

Rasti ishte raportuar më 26 janar 2026 nga pronari i shtëpisë, i cili jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas dëshmisë së tij, personat e panjohur kishin depërtuar brenda shtëpisë dhe kishin hapur sefin, ku ai kishte lënë 176,900 dollarë amerikanë dhe 3,750 euro.

Sektori Rajonal për Hetime ka punuar për gati tre muaj deri në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarës këtë të martë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj vjedhjeje të rëndë.

Exit mobile version