Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është ndaluar nga policia nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”. Me urdhër të prokurorit kujdestar ai u ndalua për 48 orë, ndërsa Prokuroria paraqiti kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.
Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe në vend të paraburgimit i ka caktuar Berishës masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Këtë masë do ta monitorojë Stacioni Policor në Vushtrri.
Sipas Gjykatës, arresti shtëpiak është i mjaftueshëm për të parandaluar përsëritjen e veprës dhe për të mbrojtur të dëmtuarën. Masa do të zbatohet në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, meqë palët nuk jetojnë më bashkë, duke shmangur kështu kontaktin mes tyre./E.A/
