Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në dy raste të ndara në rajonin e Ferizajt dhe Shtimes, nën dyshimin për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.
Në rastin e parë, në fshatin Bibaj të Ferizajt, policia ka ndaluar dy persona gjatë kontrollit të veturës së tyre. Me këtë rast, janë gjetur dhe sekuestruar 59.3 gramë substancë narkotike e llojit kokainë, 6,455 euro me para në dorë, dy telefona celularë, dy shufra metalike si dhe vetura me të cilën po udhëtonin. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në rrugën “De Rada” në Shtime, është arrestuar një person pasi gjatë kontrollit policia i ka gjetur dhe sekuestruar 3.15 gramë hashash. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /E.A/
