Në raportin e fundit njëditor të Policisë së Kosovës janë raportuar disa raste të armëmbajtjes pa leje që kanë çuar në arrestimin e tre personave në qytete të ndryshme.
Rasti i parë është regjistruar në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku pas mesnatës është arrestuar një burrë pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë-thikë, ndërsa po ashtu në Lipjan, gjatë mesditës, policia ka ndaluar një person tjetër në veturën e të cilit u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë me një fishek.
Për të dyja këto raste, prokurori ka vendosur që të dyshuarit të lirohen në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Ndërkohë, në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë, policia ka arrestuar një të dyshuar pasi i janë gjetur 15 fishekë të armës me gas, me ç’rast është ushtruar kontroll edhe në shtëpinë e tij, ndonëse aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
